
Fitimi i Champions Leagues për të dytën herë në histori e ka ngjitur Chelsean në majën e Europës . Me mbërritjen në stol të Thomas Tuchel ‘’ Blutë e Londrës ‘’ kanë bërë hapa përpara dhe rezultatet nuk kanë vonuar . Gjermani e ka përballuar sezonin me shumë sukses dhe njohuritë e tij i kanë ndihmuar kryeqytetasit për të shijuar trofeun më të rëndësishëm në Europë . Strategut të famshëm nuk i mbetet gjë tjetër veçse të analizojë goditjet e merkatos dhe vijon me parashtrimin e kërkesave për presidentin Roman Abramovich .
47 vjeçari ka menduar të garojë me rivalët e Manchester United për të marrë shërbimet e mesfushorit Jadon Sancho i cili nuk ka të ndalur me Borussia Dortmundin . ‘’ Verdhezinjtë ‘’ prej kohësh kanë deklaruar se nuk do të lejojnë largimin e anglezit nga ‘’ Signal Iduna Park ‘’ për më pak se 120 milionë euro .
Pas kësaj deklarate menjëherë Chelsea i është kundërpërgjigjur ofertës me përfshirjen e Callum Hudson- Odoi në këtë operacion. 20 vjeçari e ka parë veten të penalizuar sepse Thomas Tuchel i ka besuar aftësive të Haverts , Ziyech dhe Pulisic dhe plani i Chelseat i krijon hapësirë sulmuesit për ta kërkuar fatin diku tjetër . Momentalisht sipas Transfermarkt kartoni i tij vlerësohet në 35 milionë euro që do ta ndihmonte Chelsean për të nisur ofensivën për yllin e Borussia Dortmundit .
Jadon Sancho mbetet një ndër lojtarët më të suksesshëm të momentit dhe lufta për britanikët sapo ka filluar. 21 vjeçari i lindur në Camberwell e ka rritur shumë nivelin dhe këtë sezon e ka mbyllur me 16 gola dhe 18 asiste në 38 sfida .



