
Prej kohësh tashmë kanë filluar të qarkullojnë zërat për largimin e mundshëm të sulmuesit Dejan Kulusevski nga "Allianz Stadium".
35 milionët e derdhura në arkat e Atalantës nuk i kanë rezultuar siç e kishin parashikuar drejtuesit e torinezëve dhe këta të fundit kanë menduar për ta përfshirë seriozisht në operacionin për Dusan Vlahovic, sulmues që po lë gjurmë tek Fiorentina. Massimiliano Allegri nuk e ka filluar mirë etapën e rradhës në stolin e rekordmenëve të Serisë A dhe do të kërkojë të ndryshojë ecurinë e "Zonjës së Vjetër" me transferimin e një golashënuesi që ka bërë ligjin tek "Vjollcët".
Shitja e Dejan Kulusevskit do t'i ndihmonte arkat e Juventusit për të përballuar blerjen e sulmuesit 21-vjeçar, i cili nuk ka të ndalur me progresin nën drejtimin e Vincenzo Italianos, besimin e të cilit e ka justifikuar në perfeksion sepse ka arritur një shifër bombastike, prej 13 golash në 15 ndeshje .
Me anë të kësaj statistike mbresëlënëse, perla e skuadrës nga Firence e ka rritur edhe vlerën e kartonit, e cila aktualisht arrin 70 milionë eurot dhe momentalisht Juventusi mund ta arrijë vetëm me përfshirjen e lojtarëve që nuk e kanë kënaqur aq sa duhet strategun italian në këtë fazë të parë të sezonit.
Për Juventusin fatkeqësitë nuk kanë të ndalur sepse pas humbjes turpëruese kundër Chelseat në mesjavë kanë marrë një tjetër shuplakë në shtëpi kundër Atalantës dhe gjendja e këtij ekipi konsiderohet tejet kaotike.



