
Ish-futbollistit Ansi Agolli, iu dedikua një dokumentar i quajtur “Historia ime”, ku flitej për të gjitha etapat e karrierës të kaluara. Në lidhje me këtë, Agolli foli në emisionin “Skaner” në MCN TV, ku deklaroi se ishte një natë e veçantë për të dhe familjen e tij. “Ishte një natë e veçantë për mua dhe familjen time, për historinë time. Rutina, është ajo që një ish-sportisti i mungon, deri në një farë pike. Nëse shikon vetëm të shkuarën, nuk fokusohesh tek e ardhmja. Më mungon ajo rutina, kur mblidheshim në ekip me shokët dhe trajnerët. Janë 22 vite të luajtura si profesionist nuk është pak, është gjysma e jetës. Ato vite mundohemi t’i kujtojmë, siç ishte rasti i dokumentarit për mua, që mblodhi të gjithë personat që kam pasur ndër vite. Dokumentari quhet “Historia ime”. Është historia e një sportisti, ndahet në disa etapa. Në ato momentet e vështira, që një sportist kalon, janë momentet kur mëson më shumë. Unë i kam kaluar me nota pozitive. Është një përmbledhje e të gjithë dinamikës që kam kaluar në nivel klubesh, por edhe me Kombëtaren. “, deklaroi fillimisht ish-mbrojtësi. I pyetur se ku i ka kaluar emocionet më të mëdha, Agolli u shpreh se te Tirana, për shkak se aty u ndërtuan themelet dhe aty është mesazhi për të gjithë lojtarët e rinj. “Emocionet më të mëdha i kam në periudhën e parë, aty ku u ndërtuan themelet e lojtarit. Periudha me Tiranën, fillimi, peripecitë, kalimi te skuadra e parë. Këtu përcillet edhe mesazhi për futbollistët e rinj, që të vazhdojnë të punojnë fort, sepse një ditë do ia dalin. Kjo më pëlqen më shumë, pjesa e Tiranës. Unë kam mësuar shumë nga ato figura dhe shtylla të Tiranës. Jam munduar të marr nga ta më të mirën. Më kanë ndihmuar për ta bërë lojën time më të mirë. Kjo është edhe pjesa më e rëndësishme, ku përcillet edhe mesazhi. Pastaj kalojmë te periudha e tranzicionit, kur kaloj jashtë. Pjesa e tretë në klube, ku mora frytet e punës sime, ishte te Qarabag. Kjo ishte maksimumi im, ku luajta edhe në Champions League me këtë skuadër.”, tha Agolli. Ish-futbollisti theksoi se te Kombëtarja i mban mend të gjitha momentet e mira, por edhe ato të vështira, ndërsa shtoi se çdo ndeshje, ishte emocion më vete. “Momente të mira në Kombëtare ka shumë, unë i mbaj mend edhe të mirat edhe të vështirat. Me skuadrën kombëtare ka pasur edhe momente të vështira. Edhe ato mbahen mend. Skuadra kombëtare, çdo ndeshje është emocion më vete. Ndeshja me Italinë në Genoa, ku stadiumi ishte i mbushur me shqiptarë. Atëherë ka ndodhur edhe një tragjedi, si përmbytja në Itali dhe paratë e tifozëve shkuan atje. Këto mbahen mend. Është edhe kualifikimi në Europian. Mbaj mend një fitore me Bjellorusinë në Tiranë. Janë disa momente. Çdo ndeshje është adrenalinë më vete.”, përfundoi Ansi Agolli.



