Mbrojtësi me origjinë shqiptare, Shkodran Mustafi është shumë afër kalimit në Serie A në Itali. Futbollisti është pa kontratë nga përfundimi i sezonit, ku mbylli aventurën me Schalke 04 dhe tashmë duket se do të vazhdojë karrierën e tij në Itali.
Sipas raportimeve të fundit, thuhet se babai i Mustafit, i cili njëkohësisht është edhe agjenti i tij, është në bisedime me Torinon. Këta të fundit janë në kërkim të një mbrojtësi dhe për këtë arsye kanë hedhur sytë nga Mustafi.
Një marrëveshje mes 29-vjeçarit dhe klubit italian është shumë afër dhe gjithçka mund të mbyllet në orët e ardhshme.
Kujtojmë se mbrojtësi e njeh Serie A, pasi ka luajtur edhe më parë aty, teksa nga viti 2012 deri në 2014 ka qenë pjesë e Sampdorias. Gjatë karrierës së tij, shqiptari ka luajtur me klube të mëdha si Arsenali në Angli, Valencia në Spanjë apo edhe Schalke 04 në Gjermani.



