
Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, zbuloi në emisionin “SportZone” në MCN TV, se ka përgatitur një dosje, për të gjithë ata që sipas tij, kanë akuzuar dhe shpifur, për projektin “Ekipet Sportive”.
Ylli theksoi se gjithçka ka qenë transparente në lidhje me projektin dhe nuk mund t’i pranojë ofendimet, si hajdut, për prishje imazhi të KOKSH dhe të atij vetë.
Unë nuk dua të merrem as me ata që kanë qenë në të kaluarën, apo edhe ata që do vijnë në të ardhmen në KOKSH. Ky është një institucion serioz dhe nuk dua të njolloset. Është bërë auditimi për 3 vjet, që KOKSH nuk e kishte bërë. Ky auditim ka bërë atë që unë të vazhdoj punën. Akuzat që vijnë, e kanë vendin në Gjykatë apo Prokurori. Nëse kanë diçka për mua, të shkojnë në Prokurori. Të gjithë ata që kanë shpifur për mua, janë në Gjykatë.
Janë bërë dosjet gati, për të shkuar në Gjykatë, për të bërë këto ‘abuzime’ që KOKSH ka bërë me ekipet sportive. T’i japin provat në Gjykatë. Dosja është gati dhe të martën do shkojë avokati në Gjykatë. Projektin e ka miratuar Asambleja. Gjithçka që ka ndodhur, është transparente. Përveçse i japim llogari Ministrisë, i japim llogari edhe Asamblesë së KOKSH.
Unë mund të kem debate me shumë njerëz, por nuk shpif kurrë. Nuk mund t’i thuash tjetrit hajdut, unë nuk e pranoj dot këtë. Është ofendim i rëndë. Prandaj i jam drejtuar Gjykatës. Do jenë këta njerëz që do paraqiten aty, për të gjitha shpifjet për prishjen e imazhit të KOKSH dhe prishjen e imazhit tim.
I pyetur për bastet sportive, Ylli deklaroi se javën e kaluar, kishte një dëgjesë me federatat ku u kërkua që të përcaktohet me përqindje sa do të marrë sporti.
Kishim një mbledhje, ku ishte edhe FSHF dhe kemi bërë debate me ministren, si do ndahen. Sporti një zëri kërkoi një përqindje të jetë e përcaktuar. Të paktën ta dimë që kaq para janë për sportin. Dëgjesa u bë para një jave. Pas kësaj, u bë dëgjesa edhe me kompanitë e basteve. Besoj se kjo do bëhet në VKM, sepse janë detaje teknike që nuk bëhen në ligj. Unë ngrita disa probleme.
Paratë e basteve janë monopol i qeverisë, jo i Federatës. Ke parë që Federata në Itali apo Francë, të marrin para nga bastet?! Futbolli është industri dhe nuk ka nevojë të marrë para nga bastet.



