
Trajneri Artan Mërgjyshi, në emisionin “SportZone” në MCN TV, ka bërë një analizë të kampionatit shqiptar. Duke folur për Teutën, që nga kampione sezonin e kaluar tani rrezikojnë mbijetesën, Mërgjyshi tha se u bë gabim me ndërrimin e trajnerëve.
Nuk ka asnjëherë receta fikse në futboll. Një ekip kampion që të vazhdojë rrugën, është e vështirë. Janë bërë disa gabime rrugës te Teuta. Kampionatin e nisën mirë, ishin entuziastë. Më pas kishin disa oshilacione. Në atë moment u bënë lëvizje në pankinë. Ndonjëherë nuk janë të duhura. Janë disa vendime që drejtuesit i marrin nën stres.
Mërgjyshi foli edhe për Dinamon, ku tha se si ish-dinamovit i dhemb situata e ekipit, por u shpreh se janë bërë gabime të shumta në ndërtimin e skuadrës. Në lidhje me ndryshimet e trajnerëve të blutë, ai deklaroi se Shkëmbi u mbajt shumë, ndërsa për Devollin u shpreh se të paktën duhet ta kishin lënë deri në fund të sezonit.
Ne si ish-dinamovitë na dhemb situata e skuadrës aktuale. Isha pesimist kur flitej për Dinamon për titull. Mendova se do të ishin në pozicionet 5-6. Janë bëra gjërat gabim që nga fillimi. Jo për trajnerin, pasi Shkëmbi ka eksperiencë, por të gjitha gjërat rrodhën keq. Një skuadër nuk mund ta nisë sezonin vetëm me dy qendërmbrojtësa. U besua shumë te Chinedu, një lojtar që nuk dihej nga vinte. Duke parë çfarë po bën Skuka te Partizani, thuhet se ka qenë një gabim largimi. Në 6 muaj te Dinamo, Skuka nuk u provua asnjëherë në rolin e tij si qendërsulmues. Shkëmbit iu dha shumë besim.
Gabimi ishte që Shkëmbi u mbaj më gjatë, duhej të kishte ikur më herët. Pastaj u shkarkua stafi dhe u mbajt Shkëmbi, një tjetër gabim. U mor Devolli, në momentin që skuadra po jepte sinjale pozitive, hoqën edhe Devollin. Morën një trajner italian, i cili erdhi në kohën e gabuar. Ka shumë vështirësi rrugës. Me pak fjalë Dinamo nuk e di ku është. Për mendimin tim, duhet ta kishim lënë deri në fund. Edhe lojtarët tani nuk e besojnë më se do të shpëtojnë.
Na dhemb që po ikën Dinamo, por nuk mund t’i heqësh të drejtën asnjë skuadre për të luajtur në Superiore, qostë Ballshi apo Shijaku.



