
Shqipëria barazoi pa gola ndaj Uellsit ditën e sotme në sfidën e zhvilluar në Kardif. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja tha se kuqezinjtë ishin mirë në mbrojtje, por shtoi se problemi është përpara. Gjithashtu italiani ndër të tjera tha se Shqipëria duhet të punojë për të rregulluar kundërsulmin.
“Më pëlqeu shumë sjellja e skuadrës. Erdhëm këtu me një dëshirë të madhe për të treguar aspektin karakterial. Vuajtëm në pjesën e dytë, sepse ata futën një sulmues të fortë fizikisht dhe luajtën me topa të gjatë. Në pjesën e parë luajtëm mirë, por vuajtëm pak në sulm. Uellsi është skuadër shumë e fortë. Luajmë shumë mirë në pjesën mbrojtëse, por duhet të jemi më të shpejtë dhe më të saktë në kundërsulm. Në pjesën e parë bëmë mirë, por në pjesën e dytë vuajtëm pak. Më pëlqyen të gjithë. Seferi pati pak hapësira, por luftoi shumë. Balaj luajti mirë në pjesën e parë. Manaj me topin është shumë i mirë, është nga sulmuesit më të mirë që kemi. Në përgjithësi më pëlqyen të katërt sulmuesit. Selmani ishte debutues, por luajti mirë dhe tregoi personalitet. Edhe në topat e lartë ishte shumë mirë, besoj se gjetëm një lojtar të ri që mund të na shërbejë në të ardhmen.
Në aspektin taktik të gjithë mbrojtësit bënë mirë. Sigurisht mund të kemi bërë ndonjë gabim të vogël në dalje, por në përgjithësi kemi bërë mirë. Duhet të kemi parasysh se luanim ndaj lojtarëve shumë cilësorë. Ata bënin shumë presing, janë shumë të fortë fizikisht. Gabimi i vetëm ishte vuajtja në pjesën e kundërsulmit. Në aspektin karakterial treguam gjëra të mëdha. Nëse kishim më shumë siguri kur e nisnim aksionin, do të bënim akoma më mirë”, u shpreh Reja pas ndeshjes.



