
Juventusi dhe Milani barazuan mes tyre në ndeshjen e vlefshme për javën e katërt në Serie A. Ishte një ndeshje me dy tablo, ku pjesa e parë foli për bardhezinjtë e Allegrit, ndërsa e dyta ishte në favor të kuqezinjve.
Juventusi kaloi i pari në avantazh, teksa në minutën e 4-t, Alvaro Morata shfrytëzoi në maksimum një kundërsulm, duke zhbllokuar sfidën. Pas kësaj, “Zonja e Vjetër”, kishte edhe raste të tjera për shënim, por nuk ia doli dot.
Në të dytën, Milani u shfaq me një fytyrë tjetër, ku ishin më kërkues. Pas disa tentativave, goli erdhi në minutën e 76-të, kur Ante Rebic shfrytëzoi në maksimum një krosim të Tonalit, duke shënuar me kokë.
Pak minuta më vonë, kuqezinjtë kishin rastin më të mirë për të dyfishuar shifrat, por Kalulu i vetëm me portierin e Juventusit, pa këtë të fundit t’i priste gjuajtjen.
Me këtë barazim, Milani ngjitet në vendin e dytë me 10 pikë, ndërsa Juventusi renditet në vendin e 18-të me vetëm 2 pikë.



