
Tentativat e njëpasnjëshme të drejtuesve të Chelseat për transferimin e Moises Caicedos më në fund e kanë dhënë rezultatin. Ekuadoriani do të jetë pjesë e ‘’ Bluve të Londrës ‘’ deri në 2031-shin me opsionin e zgjatjes së kontratës edhe për një tjetër sezon. Sipas ekspertit të merkatos Fabrizio Romano Todd Boehly ka investuar rreth 133 milionë euro për 21 vjeçarin, i cili zhvilloi dy sezone të mrekullueshme tek modestët e Brightonit. Zgjedhja e Chelseat nga Moises Caicedo ka rezultuar një surprizë për Jurgen Klopp, trainer që shpresonte se ishi i Indipendiente del Valle do të vendoste për Liverpoolin. Duhet theksuar se investimi i bërë e shëndërron këtë transferim në më të shtrenjtin në historinë e Premier Leagues, lojtar i cili tashmë është pjesë e një ekipi elite, i suksesshëm në të kaluarën në kompeticionet pjesëmarrëse.



