
Trajneri i Dinamos, Rodolfo Vanoli, është shfaqur i lumtur me atë që tregoi skuadra e tij në barazimin pa gola ndaj Vllaznisë.
Pas ndeshjes, tekniku italian, për mediat deklaroi se ky rezultat erdhi shumë vonë, pasi në ndeshjet e kaluara, kryeqytetasit duhet të kishin marrë më shumë.
Jam shumë i kënaqur për lojtarët. Mendoj se ky rezultat ka ardhur shumë vonë. Duhet të kishte ardhur që në ndeshjen me Tiranën, ku humbëm edhe penalltinë me Ibraimin në fund. Megjithatë ky është futbolli, po punojmë që të ngremë nivelin. Jam i bindur që në vitet e ardhshme, Dinamo do të jetë shumë lart si ekip. Kemi një klub të madh dhe do të bëj gjithçka për të arritur objektivat.
Me Vllazninë ishte një ndeshje e veçantë. Në gjashtë ndeshjet e fundit, mund të kishim fituar apo edhe barazuar, ndërsa ne i kemi humbur. E përsëris që jam i kënaqur me lojtarët sepse kanë dhënë maksimumin. Kemi aktivizuar edhe lojtarë të rinj. Po ndërtojmë një grup të mirë me lojtarë të rinj.



