
Napoli regjistron fitoren e 8-të radhazi në kampionat, në po kaq ndeshje të zhvilluara deri tani. Skuadra e drejtuar nga Spaletti, mposhti minimalisht Torinon, në një ndeshje me të vërtetë spektakolare.
Osimhen ishte heroi i Napolit, teksa shënoi golin e vetëm të takimit në minutën e 81, teksa në pjesën e parë Lorenzo Insigne humbi penallti. Të kaltrit marrin sërish kryesimin e renditjes me 24 pikë, 2 pikë më shumë se ndjekësit e Milanit.
Në Premier League, fitore ka korrur edhe Tottenham, që mposhti 2-3 Newcastle në transfertë. Këta të fundit kaluan të parët në avantazh me Wilson në minutën e 2-të, por “Spurs”, përmbysen gjithçka që në pjesën e parë, falë golave të Ndombele në minutën 17, Kane në minutën e 22 dhe Son në minutën e 45+3.
Pjesa e dytë ishte më e qetë, me Newcastle që ngushtoi shifrat në 2-3 në minutën e 89, falë autogolit të Dier, por vetëm kaq, pasi nuk ia dolën dot të marrin të paktën një barazim.



