
Interi po punon shumë fort për ta përmirësuar imazhin në Itali dhe Europë duke u nisur nga një dëshirë e madhe për të vijuar me sukseset.
Perspektiva e të ardhmes nuk ka ndryshuar dhe Antonio Conte ia ka lënë të shtruar rrugën Simone Inzaghit për ta vendosur emrin në historinë e gjatë të zikaltërve .
Merkatoja është aleati i pandashëm dhe zgjidhësi i çdo problematike të skuadrave dhe fituesit e Scudettos këtë herë i kanë hedhur grepat tek Anderlecht , konkretisht tek mbrojtësi Sergio Gomez.
Huazimi nga Dortmundi tek modestët e Huescas i hapi rrugën fillimit të një eksperience e cila tashmë i ka dhënë rezultatet . Firmosja me 21 vjeçarin për rreth 2 milionë euro i dha mundësinë për të zgjeruar protagonizmin dhe pas dere është kampioni i Italisë që ka nisur të fërkojë duart.
14 gola dhe 6 asiste në 41 sfidat e deritanishme evidentojnë një progres të dukshëm të Sergio Gomez , lojtar që shikohet si zëvëndësuesi i Ivan Perisic për arsye se kontrata e kroatit përfundon në 30 qershor dhe në Milano nuk është gjetur akoma gjuha e përbashkët për zgjatjen e saj .
Duke iu referuar kësaj çështje jetike për vijimësinë e Interit, përzgjedhja e Sergio Gomez është shumë e nevojshme për të blinduar mesfushën sepse spanjolli po tregon se është mjaftueshëm i përgatitur përnjë sfidë ndryshe .
Fatkeqësisht Interi nuk shkoi më tepër se 1/8-tat e finaleve në Champions League ku u eleminua nga Liverpooli dhe pikërisht ky aspekt ka filluar ta rrisë vigjilencën në ‘’ Giusseppe Meazza ‘’ sepse reflekton ngecjen në faza vendimtare duke qenë se interistët janë një ekip me shumë eksperiencë dhe me goditje cilësore dhe pak fat mund të bëjnë më tepër në të ardhmen .



