Specialisti i futbollit, Sulejman Starova, veten e tij e cilëson si futbollist mesatar dhe të kompletuar. Ai shprehet se në ditët e sotme nuk realizohen dy stërvitje në ditë, ndërsa shtoi se individin e mirë e gjen edhe para 40 vitesh, por pranon se sot luhet futboll më mirë se në kohën e tij. Starova kujtoi se në vegjëli e merrte i ati në stadium dhe se më tej e ndihmoi shkolla e mjeshtërisë sportive. Në emisionin “Arnautistan” në MCN Tv, deklaroi se nga ekipi i “Shkëndisë” vazhdoi me “Partizanin”, duke vijuar më tej si trajner. “Doja ti ngjaja Franz Beckenbauer, apo Maraddona. Sulmuesit tanë nga më të mirët që kemi pasur në Shqipëri, secili ka qenë ndryshe. Të gjithë futbollistët, edhe ata që kanë lindur jashtë, janë tipik shqiptarë.” Starova i cilësoi tifozët si lojtarin e 12-të, duke nënvizuar se nëse mbushin stadiumin e kanë bërë punën e vetë, por pranon se rol luan dhe të qenit aktiv.



