
Paraqitjet dinjitoze të Alvaro Moratas tek Juventusi sigurisht kanë prodhuar ndërmarrjen e disa aksioneve nga drejtuesit e bardhezinjve për qëndrimin e spanjollit në ‘’ Allianz Stadium ‘’ .
Kartoni i sulmuesit i përket Atletico Madridit por torinezët janë të bindur se 29 vjeçari i shërben ofensivës për të ardhmen dhe kanë menduar reduktimin e vlerës duke përfshirë Weston McKennien në këtë operacion.
Amerikani konsiderohet një lojtar ideal për kërkesat e Diego Simeones dhe në këtë mënyrë do ti bënte një nder Juventusit për të vijuar me llogaritjen e Alvaro Moratas , i domosdoshëm për Massimiliano Allegrin në metrat e fundit.
Pavarësisht transferimit të Dusan Vlahovicit në merkaton e janarit , ‘’ Zonjës së Vjetër ‘’ i nevojiten më shumë forca në ofensivë dhe ishi i Real Madridit mund të formojë një dyshe perfekte me serbin dhe duke filluar nga sezoni i ardhshëm Massimiliano Allegri do të tentojë gjithçka me Juventusin , ekip që tregoi në të kaluarën se sa vlen.
Pas rrëshkitjes në dy sezonet e fundit , e cila duke patur parasysh rivalitetin në futboll mund të konsiderohet normale , juventinët do të mundohen sa më shpejt të rikthehen tek titujt , ku prioritet mbetet Champions League por duhet të rifitojnë eksperiencën edhe në Itali , aty ku para disa sezonesh s’njihnin rival.
Për ekipin nga Piamonte , Alvaro Morata mbetet një referent i padiskutueshëm për shkak se është një lojtar shumë inteligjent dhe me aftësi të jashtëzakonshme në metrat e fundit i cili mund të ndëshkojë me lehtësi çdo kundërshtar sepse mban mbi supe një eksperiencë të konsiderueshme në kampionatet më të famshëm të Europës , gjithmonë me ekipet më të njohura të tyre.
Kartoni i Alvaro Moratas vlerësohet momentalisht 35 milionë euro dhe Juventusi e konsideron zgjidhjen e duhur përfshirjen e mesfushorit amerikan për blerjen e golashënuesit spanjoll.



