
E ardhmja e Gabriel Jesus tek Arsenali vijon në pikpyetje.
Braziliani ende nuk ka debutuar në sezonin aktual, fakt i cili tregon se nuk bën më pjesë në planet e teknikut Mikel Arteta.
Në 2022-shin golashënuesi mbërriti në ‘’ Emirates ‘’ dhe mendohej se do të ishte referent në metrat e fundit në të ardhmen por s’ka ndodhur kështu dhe si duket do ti vërë shumë shpejt pikën eksperiencës me ‘’ Topchinjtë ‘’.
Mirëpo, cilësitë e 28 vjeçarit s’mund të vihen asnjëherë në dyshim dhe në fakt për të kanë shfaqur interes drejtuesit e Flamengos.
Sipas disa burimeve ishi i Palmeiras po e mendon rikthimin në Brazil por krerët e londinezëve synojnë të arkëtojnë rreth 30 milionë euro.
Kjo shifër në plan të parë thekson një lloj vështirësie për arritjen e marrëveshjes por sidoqoftë Gabriel Jesus duhet të veprojë shpejt në lidhje me hapin e rradhës pasi siç dihet Botërori i 2026-tës është shumë afër dhe pretendimi i tij është grumbullimi nga tekniku i ‘’ Seleçaos ‘’ Carlo Ancelotti.
Thuhet se lojtari nga Sao Paolo mund të huazohet për tu aktivizuar sa më shumë dhe të përgatitet për këtë eveniment tejet të rëndësishëm në të cilin Brazili konsiderohet një pretendent serioz për ta fituar.
Siç dihet Flamengo mbetet një kockë e fortë jo vetëm në Brasileirao por edhe në Kupën Santander Libertadores, e quajtur ndryshe si Champions League e Amerikës së Jugut.



