Sylvinho: Shqipëria do 6 pikët, por nuk jemi të dënuar për fitore

Sylvinho: Shqipëria do 6 pikët, por nuk jemi të dënuar për fitore

Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, foli në konferencë për shtyp për listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet kualifikuese të Europianit, ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.

Në fjalët e tij, tekniku kuqezi deklaroi se tani e njeh skuadrën më mirë dhe në dy ndeshjet e radhës do të synohen 6 pikët.

Është një moment paksa delikat. Siç e thatë edhe ju, është fundi i sezonit. Lojtarët mund të jenë pak të ngarkuar, por kjo është pjesë e punës. Ne kemi folur gjatë kësaj kohe me të gjithë lojtarët, kemi takuar shumë prej tyre dhe është një situatë që duhet menaxhuar sa më mirë. Duhet menaxhuar volumi i punës dhe intensiteti, në mënyrë që lojtari të jetë 100% kur të zbresë në fushën e lojës. Për këtë arsye ne kemi zgjedhur 26 lojtarë dhe duhet thjesht një menaxhim i mirë.

I njohim më mirë lojtarët. Ka qenë një periudhë jo e lehtë pune, prej dy muajsh. Ndeshja kundër Polonisë ishte teke dhe me kalimin e ditëve arritëm t’i njohim lojtarët më mirë. Tani jemi në një situatë ndryshe, kemi dy ndeshje të ndryshme dhe pas kaq ditësh pune me stafin, mund të them që jam i kënaqur me listën që kemi përpiluar që ishte me 27 lojtarë, por tashmë për shkak të mungesës së Gjasulës kemi 26 lojtarë. Jam i kënaqur që kemi një grup të ri dhe më pëlqen kjo gjë. Kemi një përzierje lojtarësh të rinj dhe me eksperiencë, si edhe 2-3 elementë të tjerë që mendoj se do të na ndihmojnë në këto dy ndeshje. Tani e njoh më mirë skuadrën, krahasuar me periudhën kur kishim ndeshjen e parë kundër Polonisë.

I kemi të gjitha mundësitë për të marrë fitore në këto dy ndeshje. Përveç lojës së bukur, duam edhe 6 pikët. Por, fusha do të na tregojë se sa do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë gjë. Sigurisht rezultatin nuk mund ta kontrollojmë, por ne kemi një rrugë të gjatë përpara, me 7 finale. Që të gjitha ndeshje që janë për t’u fituar. Është e rëndësishme që të bëjmë lojë të mirë dhe të marrim pikë. Kam në mendje vetëm ndeshjen me Moldavinë dhe më pas do të mendojmë për ndeshjet e tjera. Duhet të marrim sa më shumë pikë. Dëshira është e madhe për të shkuar në finalet e EURO 2024. Kemi një ekip të mirë dhe jam i bindur që më 17 qershor, kur unë të bëj debutimin tim në Shqipëri përballë tifozëve tanë, ata do të na mbështesin që ne të marrim tre pikët nga kjo ndeshje e radhës.

Sylvinho zbuloi arsyet e grumbullimit të dy sulmuesve, Muçi dhe Sadiku, si dhe lënia jashtë e Roshit.

Kemi një grumbullim ndryshe këtë herë, ndryshe nga Polonia. Do t’i përshtatemi kundërshtarit. Muçi vjen në një formë shumë të mirë në grumbullim, është një sulmues që luan shumë mirë mes linjave, në hapësirë, pasime filtruese. E meriton që të jetë këtu me ne dhe të ndihmojë skuadrën. E njëjta gjë për Sadikun, kam folur me të edhe më herët, përpara grumbullimit të parë. E njeh shumë mirë zonën dhe golin dhe mund të na ndihmojë në këto dy ndeshje dhe prandaj e kemi thirrur. Është e rëndësishme të bëjmë lojë të bukur, por ne luajmë për tre pikët. U kam thënë edhe lojtarëve, ndeshja nuk fitohet nga një çast apo moment, por fitohet nga ajo që ti ndërton gjatë 90 minutave. Jam i kënaqur me këtë listë që kemi aktualisht. Duhet të fitojmë me Moldavinë dhe më pas të mendojmë ndeshjet e tjera. Ju e dini situatën në grup. Por unë jam i bindur, për lojën që mund të bëjmë, ekipin dhe lojtarët që do të zbresin në fushë janë ata që do të jenë në 100% të mundësive të tyre. Duhet të bëjmë një ndeshje sa më të mirë në sy të tifozëve tanë.

Roshi është një lojtar shumë i rëndësishëm për Kombëtaren. Nuk është në këto dy ndeshje, por kjo nuk do të thotë që në shtator nuk do të jetë me ne. E kam takuar përpara disa kohësh, kam folur me të. Është një lojtar shumë i aftë në krahun e djathtë, por në këtë moment kemi edhe lojtarë të tjerë që mund të luajnë në atë rol dhe kam menduar t’u jap mundësinë lojtarëve të tjerë. Roshi është një lojtar në monitorim, ashtu sikurse edhe shumë lojtarë të tjerë që kanë qenë më parë pjesë e Kombëtares.

Trajneri brazilian, deklaroi se nuk mund të thuhet se skuadra është e dënuar për të dituar dy ndeshjet e radhës, por detyrimi për këtë është.

Të dënuar jo, është një fjalë e fortë, por jemi të detyruar patjetër. Duhet të marrim pikët tona në këtë rrugëtim, nëse bëjmë lojë të mirë, por nuk marrim pikat që na duhen, kjo nuk ka vlerë. Unë e kuptoj që ju mund të bëni llogaritë tuaja për pikët, nga shtatori në nëntor ne duhet të marrim pikët e nevojshme, luajmë në shtëpi dhe kemi mundësitë dhe duhet të fitojmë ndeshjet në shtëpi. Por luajmë ndaj një skuadre që ka të njëjtat synime. Në terma afatgjatë, nëse ne fitojmë dy ndeshjet tani dhe humbasim ndeshjet e tjera, jemi jashtë. Rruga është pak e gjatë deri në fund, jam dakord që duhet të marrim sa më shumë pikë dhe për këtë synim punojmë dhe punojmë fortë madje. Por është e vështirë të thuash 4, 6, 3 pikë, pasi nuk i dihet kurrë. Dëshira jonë është që të fitojmë të dyja ndeshjet dhe të marrim 6 pikët, por edhe kundërshtarët tanë kanë të njëjtat synime. Nuk e di nëse e keni parë javën e fundit të Bundesligës, ishte një çmenduri. Po shikoja disa ndeshje njëkohësisht dhe ajo që ndodhi është e vështirë për t’u shpjeguar. Ti mendon se në letër ndeshja është kështu, por në fushë është diçka krejt tjetër. Ne duhet të punojmë shumë me lojtarët tanë, ata që zbresin në fushën e lojës duhet të japin 100%, shto edhe faktin që luhet para tifozëve tanë rriten shanset për të fituar ndeshjen. Ndeshja fitohet në fushë, nuk fitohet jashtë. Punojmë shumë për atë 90-minutësh dhe jam i bindur se takimet që kemi bërë me lojtarët nëpër Europë te klubet apo edhe vendimi për të jetuar këtu, ka qenë gjëja e duhur. Këtu kupton atmosferën që ke përreth dhe pastaj ua transmeton lojtarëve. Jemi të bindur se na duhen pikët, e nisim me Moldavinë, ndeshje e vështirë, por mendoj se i kemi shanset të fitojmë nëse bëjmë gjithçka mirë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy