
Shqipëria U-20 do të zhvillojë dy miqësore ndaj Malit të Zi këtë muaj dhe për këtë arsye ditën e sotme ka nisur grumbullimi i lojtarëve. Lojtarët janë vënë nën urdhrat e trajnerit Ilias Haxhiraj dhe kanë nisur përgatitjet intensive në prag të dy ndeshjeve të radhës. Më 12 qershor, luajmë miqësore në Malin e Zi, ndërsa 3 ditë më vonë këta të fundit vijnë në “Loro Boriçi” në Shkodër për miqësoren e radhës.
Trajneri Haxhiraj ka bërë publike ditën e sotme edhe listën me 23 lojtarët e grumbulluar për këto dy sfida. Në sy bie se në listë ka lojtarë që luajnë në kampionatin vendas, por edhe atë të huaj.
Ky grumbullim pesë ditor dhe këto dy ndeshje miqësore do t’i shërbejnë drejtuesit të kuqezinjve për të parë më nga afër gjendjen e lojtarëve si dhe për të vëzhguar futbollistët e rinj që vijnë për herë të parë në këtë grumbullim.



