
Italia regjistroi fitoren e radhës në Euro 2020, teksa mposhti minimalisht Uellsin, duke kaluar grupin me pikë të plota dhe pa pësuar asnjë gol. Italianët arrijnë shifrën e 30 ndeshjeve radhazi pa humbje, me trajnerin Roberto Mancini që arrin kështu rekordin e Vittorio Pozzo, i cili arriti këtë shifër në krye të Italisë, nga viti 1935 deri në vitin 1939. Pas ndeshjes, Mancini është shfaqur shumë i lumtur, teksa për zëvendësimet tha se është mëkat që të lërë një nga lojtarët e ekipit jashtë.
“Nuk mund të shkonte më mirë se kaq. Ne mund të kishim shënuar edhe një gol tjetër, por ata u mbrojtën shumë mirë. Nuk ishte aspak e lehtë në këtë ndeshje. Jam i lumtur që kam arritur rekordin e Vittorio Pozzo, por ai fitoi gjëra të rëndësishme, ne jemi ende prapa.
Të gjitha skuadrat që kalojnë grupin, janë në garë për të fituar trofeun. Ne gjithashtu kemi pasur vështirësi. Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Për mua ishte e vështirë edhe në fillim të bëja zgjedhjen e lojtarëve, tani akoma edhe më shumë. Do të jetë mëkat që të lëmë jashtë një nga këta djem për gjërat që kanë bërë deri më tani. Të besosh tek të gjithë është gjëja më e rëndësishme.’, u shpreh Mancini.



