
Kryeministri Edi Rama, nderoi shtatë sportistë elitarë me titullin “Ylli i Mirënjohjes Publike”, për sukseset e arritura në kampionatet botërore dhe europiane. Bëhet fjalë për sportistët, Erkand Qerimaj në peshengritje, Alban Beqiri në boks, Lara Colturi në ski, Geta Beqa në bodybuilding, Briken Calja në peshëngritje, Eklent Kaçi në bilardo dhe Zelimkhan Abakarov në mundje.
Për këtë foli edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, deklaroi se përveç shpërblimit, sportistët punësohen në Ministrinë e Mbrojtjes dhe marrin grada të rëndësishme.
Natyrisht kemi një kuadër ligjor të përafruar me BE-në. Ne kemi një sistem shpërblimesh që është ndër më të mirët në Evropë. Ne jo vetëm i shpërblejmë sportistët, të rritur, të rinj dhe trajnerët e tyre. Por ata edhe i punësojmë në Ministrinë e Mbrojtjes. Madje me ligjin e ri ata mund të marrin edhe gradat honorifike.
Duke folur për infrastrukturën, Kushi shtoi se së fundmi është marrë vendimi për 3 stadiume të reja, në Korçë, Vlorë dhe Durrës, të cilat nuk do të jenë vetëm stadiume, por komplekse ku do të ofrohen edhe shumë shërbime të tjera.



