
Me kapacitet të plotë apo me një numër të reduktuar, kjo mbetet për t’u vendosur, por Kampionati Europian do të zhvillohet me tifozët.
I sigurt për këtë është presidenti i UEFA, Alexander Ceferin. Numri një i qeverisë europiane të futbollit ka bërë të ditur se në tavolinë janë disa skenarë, por nuk ka asnjë të tillë që ndeshjet të luhen me dyer të mbyllura.
“Ne jemi duke punuar mbi disa mundësi, por e vetmja garanci që mund të japim është se opsioni për të luajtur ndonjë ndeshje të Euro 2020 në një stadium të zbrazët është përjashtuar. Çdo qytet do të duhet të sigurojë që do të ketë tifozë në tribuna gjatë ndeshjeve të tyre”, ka thënë Ceferin.
Siç dihet, Euro 2020 që u shty për shkak të pandemisë do të zhvillohet në 12 qytete të ndryshëm. Kampionati Europian do të nisë më 11 qershor, ndërsa finalja e madhe është në program më 12 korrik.



