Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, foli në konferencë për shtyp, një ditë para ndeshjes në ccerekfinalen e Ligës së Kampioneve, ndaj Napolit.
Pioli vlerësoi kundërshtarin, ndërsa tha se skuadra e tij duhet të jetë e përqendruar gjatë gjithë takimit, pasi rrezikon ta pësojë në të kundërt.
Gjithashtu ai deklaroi se stadiumi dhe tifozët do i japin skuadrës një motiv më shumë për të synuar suksesin.
Osimhen është një sulmues i madh, që ka bërë gola vazhdimisht si në kampionat ashtu edhe në Europë, por Napoli përpara sfidës me ne ka fituar gjithmonë edhe pa të në skuadër. Kanë sulmin më të mirë në Champions dhe do të jetë një ndeshje e vështirë, por Napoli është i frikshëm edhe pa të në skuadër.
Do të jetë një gjë krejt ndryshe, një sfidë që do të luhet në 180 minuta. E dimë që duhet të luajmë një ndeshje të madhe, kundër një kundërshtari që është shumë i fortë. Do të zbresë në fushë e gjithë ‘San Siro’. Tifozët tanë do të na japin një motiv më shumë për të dhënë maksimumin.
Ne duhet të zhvillojmë një ndeshje të madhe. Kundërshtari të imponon të luash me një nivel të lartë loje dhe jemi të përqendruar për të bërë këtë gjë. Ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm ndaj çdo situate, sepse Napoli ka kualitet të lartë dhe mund të shfrytëzojë çdo gabim që ne mund të bëjmë. Nuk duhet ta ulim nivelin e përqendrimit sepse ai i kundërshtarit është shumë i lartë.



