Menaxheri i futbollit, Andi Matraxhiu ka komentuar kampionatin, deri në këtë fazën. Në emisionin "SportZone” në MCN TV, ai foli edhe për merkaton e bërë nga skuadrat shqiptare, duke thënë se Teuta dhe Dinamo kanë bërë gabime të mëdha, sidomos për mos afrimin e lojtarëve në mbrojtje.
Matraxhiu theksoi më tej, se ishte pikërisht ai që ia sugjeroi Kukësit trajnerin Diego Longo, i cili po bën një punë të shkëlqyer te verilindorët.
“Matematikë në futboll nuk ka. Nëse i ndjek lojtarët, kanë bërë sezon të mirë atje ku kanë qenë, ndërsa këtu nuk bëjnë më të mirën. Unë si menaxher marr përgjegjësitë, por ndikon edhe ai që i drejton, pasi nuk i merr dot maksimumin.
Ka një problem te Ngo, sepse lojtarët duhen studiuar. Ne ia dimë cilësitë, fakti që nuk po tregon më të mirën, duhet që klubi të interesohet për këtë. Në Qipro nuk bëri mirë. Ka një diferencë me golin. Duhet të presim pak dhe jam i bindur që do të shikojmë një tjetër Ngo pas janarit.
Unë e shikoj shumë të pastër klasifikimin, çdo skuadër është atje ku e meriton. Tirana ka pasur një fillim jo shumë të mirë, por si ekip është ekip kompakt. Te Tirana nuk më pëlqen fakti që stoli është shumë i varfër. Një ekip kampion, duhet të ketë edhe kampionë në stol. Po flasim si është një ekip pretendent.
Kukësi po bën shumë mirë dhe ka futur një stil tjetër loje. Nuk është ai Kukësi i parë. Tani shikoj një tjetër Kukës. Longo nuk i ka shpikur vetë këto skema dhe mund të kopjohen në Shqipëri. Lojtarët e Kukësit janë shumë të mirë, por organika është me futbollistë të rinj dhe nuk është e njëjta gjë si te Partizani, që ka dy formacione.
Nuk mund të themi që Partizani nuk ka ekip, mund të them se të kuqtë kanë organikë më të pasur se Kukësi. Edhe verilindorët kanë gabimet e tyre në menaxhim. Vjet u bë një menaxhim skandaloz, këtë vit është më mirë. Nuk mund të rregullohet çdo gjë kaq shpejt.
Jam shumë i kënaqur për punën e Longos, kam qenë unë ai që e sugjerova te Kukësi. Me aq sa pashë, skemat e tij përdoreshin nga PAOK. Kishte karrierë 15 vjeçare si zv/trajner. Me Egnatian në ndeshjen e parë në Kupë, gaboi. Të 3 golat e pësuar, ishin të falur.
Teuta dhe Dinamo po e vuajnë shumë merkaton e bërë. Teuta nuk e ka zëvendësuar Bregun, shifrat flasin për këtë. Në mbrojtje, largimi i Arapit dhe Hoxhës, është Selmani, por kush është në krahun e tij?! Problem që Teuta nuk ka një qendërmbrojtës rezervë. Nuk mundet që ekipi kampionat të menaxhohet kështu. Edhe Dinamon e shikoj me gabime në qendër të mbrojtjes, shpesh pësojnë shumë. Sofranac me Imamin, bëjnë dyshen e mbrojtjes. Si i ka marrë klubi masat nëse mungojnë këta të dy?! Presidenti Bardhi është super korrekt. Njerëzit që kanë bërë merkaton, duhet të ndjejnë përgjegjësi, për boshllëkun që kanë lënë.
Sidibe dhe Imeri, janë të dy të njëjtë në tipare loje. Në sulm, Mihana, Bardhi, Haxhiu dhe Gavazaj, me stil të njëjtë loje. Kanë vepruar nxitimthi. Dinamo edhe kur ka qenë për titullin në 2009, asnjëherë nuk kanë bërë deklarata bombastike. Këtë vit janë nxituar pak me deklaratat. Dinamo nuk ka nevojë për suport mediatik. Janë nëndetëse, nuk bëhen avion. Janë në një krizë. Presidenti tha që ekipi edhe sikur të bjeri nga kategoria, Shkëmbi nuk largohet. Te Dinamo vetë e bënë këtë frymë dhe tani vuajnë pasojat. Kampionati është shumë i fortë. Një vit më parë, Tirana dhe Kukësi nuk ishin pretendentë dhe tani luftojnë për vendet e para.
Martinin e shikoj më të rrezikuar. I ka rrëshqitur pak situata nga dora. Duket pak e vështirë kjo situatë për të. Teuta nuk mund të presë më. Janë rezultate të papranueshme për një skuadër kampione. I nisën mirë, por nuk po e vazhdojnë ashtu dhe e shikoj të rrezikuar Martinin. Dua ta vlerësoj klubin e Partizanit, për durimin ndaj trajnerit Daja. Është një pjekuri, por puna është mos kalojë në djegie.”, u shpreh Matraxhiu.



