Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes ka publikuar ditën e sotme listën me lojtarët e ftuar për dy ndeshjet e këtij muaji, atë ndaj Suedisë në transfertë më 9 tetor dhe ndaj Gjeorgjisë në “Fadil Vokrri” më 12 tetor.
Do të grumbullohet për herë të parë me “dardanët”, mesfushori 23-vjeçar, Toni Domgjoni, i cili në këtë sezon është pjesë e Vitesse në Holandë. Domgjoni do të ketë mundësinë të përfaqësojë Kosovën në të ardhmen, pasi në të kaluarën ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave të Zvicrës.
Nga ana tjetër, mungon sulmuesi i talentuar i Baselit, Edon Zhegrova, i cili vuan nga një dëmtim dhe trajneri zviceran Challandes ka vendosur të mos e grumbullojë për dy sfidat e radhës, ashtu si edhe Bernard Berisha, që duket se nuk preferohet nga trajneri.




