
Vitet e fundit emri i Raheem Sterling ka qarkulluar pa ndalim tek Real Madridi . Anglezi nuk e ka të siguruar qëndrimin në ‘’ Etihad Stadium ‘’ dhe me Europianin e zhvilluar deri më tani i ka impresionuar spanjollët . Me një kontratë deri në 30 qershorin e 2023-shit, 26 vjeçari ka mbetur i pakënaqur me aktivizimin e reduktuar tek kampionët në fuqi të Premier Leagues , fakt që e ka distancuar shumë nga bardhekaltërit .
Kjo histori realisht zhgënjyese për një lojtar nga i cili pritej shumë besohet se mund të ndryshohet nga interesi i ‘’ Galaktikëve ‘’ që nuk duan të humbasin kohë në krijimin e një organike solide për të mos vuajtur luhatjet e sezonit të kaluar në të cilin nuk mundën të fitonin asnjë trofe, fakt që solli menjëherë largimin e Zinedine Zidane nga ‘’ Santiago Bernabeu ‘’.
Megjithatë transferimi i mundshëm i sulmuesit nga Kingston i Xhamajkës do të prodhonte menjëherë largimin e Gareth Bale apo Mariano Diaz . Momentalisht i sapoemëruari Carlo Ancelotti është duke bërë analizat përkatëse në lidhje me këtë operacion për të evituar ndonjë pakënaqësi të mundshme gjatë rrugës , e cila do të konisderohej një autogol për të ardhmen e Real Madridit .
Në rast të kundërt nëse Raheem Sterling do të ketë fatin e veshjes së fanellës së ‘’ Los Blancos ‘’ pa dyshim do të konsiderohej si një ndër lëvizjet më bombastike të merkatos për një skuadër , filozofia e të cilës është mosdorëzimi në asnjë moment deri në arritjen e objektivave . Sulmuesi i kombëtares së ‘’ Tre Luaneve ‘’ e ka mbyllur sezonin me ‘’ Qytetarët ‘’ me 14 gola dhe 10 asiste në 49 ndeshje dhe interesi i Realit thekson se e ardhmja e tij mund të ndryshojë destinacion gjatë merkatos .



