Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka marrë vendimin për shtyrjen e ndeshjeve të Kategorisë së Parë dhe të Dytë. Këto kampionate ende nuk i kanë nisur ndeshjet për 2021, por me urdhrin e ri ka shumë gjasa që deri në fund të janarit topi të mos rrotullohet.
Sipas FSHF ky vendim vjen për shkak të terreneve të rënduara, si pasojë edhe e motit që ka karakterizuar këto ditë vendin tonë.
“Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur ditën e sotme shtyrjen e rifillimit të aktivitetit për Kategorinë e Parë dhe Kategorinë e Dytë. Ky vendim u mor për shkak të kushteve të vështira atmosferike që kanë krijuar problematika të mëdha në infrastrukturën e shumë skuadrave.
Vendimi qarkullues i KE-së i është komunikuar Sektorit të Garave në FSHF që menjëherë ka bërë njoftimin e klubeve të Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë për shtyjen e javës së ardhshme të aktivitetit.
Situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe klubet do të njoftohen në një moment të dytë në lidhje me rifillimin e aktivitetit,”-u shpreh FSHF.



