Trajneri i Partizanit, Xhovani Kolela, ka folur para mediave, në prag të sfidës që Partizani do të luajë më Teutën.
Tekniku i të kuqve, ka vlerësuar kundërshtarin, duke thënë se nuk e gjykon nga pozitat që ka në renditje.
Nuk e cilësoj Teutën një skuadër të vendeve të fundit, por një ekip që ka bërë më shumë pikë se të tjerët në ndeshjet e fundit. Mendoj se është një ndeshje shumë e fortë. Diçka do të ndryshojë, sepse është larguar ndonjë, por nuk do të ketë ndryshime të mëdha.
I pyetur për largimet e Skukës dhe Bitrit, Kolela deklaroi se i ka lojtarët për t’i zëvendësuar, ndërsa shtoi se trajneri nuk mund të dalë kundër vendimeve të klubit.
Largimi i Skukës dhe Bitri? Janë dy lojtarë të mirë që u larguan, por unë jam i bindur se në organikën tonë kemi cilësinë për t’i zëvendësuar. Çdo gjë që bën klubi, e bën në dakordësi me të gjitha palët. Nëse klubi vendos që të shesë një lojtar, mendoj se trajneri nuk ka forcën që të thotë të mos e shesin, sepse strategjia e klubit është mbi strategjinë e trajnerit. Pastaj trajneri është ai që vendos për aspektin teknik për zëvendësuesit, por edhe për ata që lojtarët që mbërrijnë është thelbësore vizioni i klubit.
Telushi mund të jetë zgjidhje për kapiten, e kemi diskutuar, por nuk e vlerësoj edhe aq të rëndësishme. Edhe kur ishte Bitri, kishte një grup lojtarësh, ata më ekspertë, që janë kapitenët, nuk është vetëm një në skuadër sipas meje. Brenda këtij grupi do të jetë kapiteni i ardhshëm.
Preka rifilloi punë këtë javë dhe ka ende një rrugë mjaft të gjatë përpara. Por padyshim Preka është marr për të qenë një element i rëndësishëm në grup. Kur të jetë në dispozicion, do të ketë shansin e tij siç e kanë pasur të gjithë.
Absolutisht që kemi mbrojtës, nuk ka ndonjë diferencë aq të madhe mes atyre që kanë luajtur më shumë dhe atyre që kanë luajtur më pak. Kemi mbrojtës të mirë si Menish dhe Saliu të cilët na i kanë kërkuar ekipe të tjera të Superiores. Ata do të kenë më shumë shanse se sa kishin më përpara.
Bilali dhe Shahaj janë dy lojtarë të mirë, janë djem që kanë ardhur me dëshirën për t’u vënë në dispozicion dhe për të luajtur për Partizanin, ndaj për mua ky është një motivim shumë i fortë.
E kam thënë shpesh se fjala frikë nuk bën pjesë në botën e futbollit. Më vijnë në mendje ata që shkojnë të flenë në Ukrainë natën duke dëgjuar bombat, ajo është frika. Por përtej kësaj, u vendos në bashkëpunim me klubin dhe strategjinë që ka klubi, që të besohej te lojtarë që i përkasin të ardhmes, lojtarë që kanë mundësi të bëhen edhe më të fortë dhe të mos marrim lojtarë pa ekip e që kanë një moshë të caktuar.



