Jürgen Klopp është emëruar zyrtarisht trajner i kombëtares së Gjermanisë, me një kontratë që do ta mbajë në krye të ekipit deri në përfundim të Kupës së Botës 2030. Trajneri 59-vjeçar zëvendëson Julian Nagelsmann, pas eliminimit zhgënjyes të Gjermanisë në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës.
Në prezantimin e tij në Frankfurt, Klopp e cilësoi drejtimin e kombëtares si kulmin e karrierës së tij profesionale, duke premtuar angazhim maksimal për rikthimin e Gjermanisë në elitën e futbollit ndërkombëtar. Ai theksoi gjithashtu se është i gatshëm të largohet pa kompensim nëse projekti nuk rezulton i suksesshëm.
Klopp rikthehet në pankinë pas largimit nga Liverpooli në fund të sezonit 2023/24, ndërsa së fundmi mbante postin e kreut të futbollit global te Red Bull. Gjatë karrierës së tij si trajner, ai ka fituar Premier League dhe Ligën e Kampionëve me Liverpoolin, si dhe dy tituj të Bundesligës me Borussia Dortmundin.
Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Bernd Neuendorf, e cilësoi Kloppin si zgjedhjen ideale për të udhëhequr kombëtaren në një fazë të re, duke falënderuar edhe Red Bull për mundësimin e lirimit të tij nga kontrata.
Debutimi i Kloppit në stolin e Gjermanisë do të vijë më 24 shtator në ndeshjen ndaj Holandës në Ligën e Kombeve. Ai do të ndihmohet nga bashkëpunëtorët e tij të njohur Peter Krawietz, Pep Lijnders dhe ish-reprezentuesi gjerman Sven Bender, me objektivin për ta rikthyer Gjermaninë mes pretendenteve kryesore në arenën ndërkombëtare.



