Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, foli në konferencë për shtyp, në prag të sfidës që skuadra e tij do të luajë këtë të shtunë ndaj Juventusit.
Pioli pranoi momentin e vështirë të skuadrës, por pret reagim duke filluar nga ndeshja e ardhshme.
Ndaj Juventusit, Leao do të jetë kapiten. Ai po e përjeton humbjen e derbit si të gjithë bashkëlojtarët, si të gjithë ne. Ishte një dhimbje e fortë ta humbisnim derbin dhe të shihnim rivalët tanë të festonin titullin. Nuk na mbetet gjë tjetër, vetëm të reagojmë në ndeshjet e ardhshme.
Ibrahimovic ishte këtu dje dhe pardje. Ai është gjithmonë pranë nesh, përpiqet të na japë besim dhe mbështetje për të kapërcyer një moment delikat. Ne fitojmë së bashku, u gëzuam së bashku dhe jemi trishtuar së bashku. Së bashku mundohemi të kapërcejmë momente të vështira.
Bennacer nuk është në formë, Adli është më mirë aktualisht. Formacioni? Do të zgjedh ata që mendoj si titullarë, sepse duam të ruajmë vendin e dytë. Okafor dhe Chukwueze janë mirë, por zgjedhjet i bëj unë.



