
Taulant Seferi, ishte lojtari i radhës që foli në konferencë për shtyp, pas grumbullimit me Shqipërinë.
Sulmuesi deklaroi se kuqezinjtë kanë tre finale përpara, ndërsa shtoi se konkurrenca i bën mirë grupit. Sipas tij, sulmi aktual, është më i miri që ka pasur ndonjëherë Shqipëria.
Për Kombëtaren, është shumë mirë kur ka konkurrencë dhe ne kemi një grup shumë i fortë. Sa i përket se kush do të luajë e kush jo, e vendos trajneri dhe ne na mbetet vetëm të punojmë fort dhe t’i tregojmë se jemi gati.
Këto janë tre finale. Fokusi ynë është te ndeshja e radhës dhe besoj që energjia e lojtarëve është ajo e duhura. Ne kemi ardhur të karikuar e të fokusuar maksimalisht. Uroj që në këtë ndeshje të dalim me rezultat pozitiv dhe të shohim më pas ndeshjet e radhës.
Sulmi më i mirë që ka pasur Shqipëria? Besoj se po, pasi kemi bërë shumë gola. Besoj se ky është sulmi më i mirë që ka pasur Kombëtarja. Kjo më bën të lumtur sepse konkurrenca e bën grupin dhe ekipin më të fortë. Shpresojmë që kjo konkurrencë e madhe në grup të na shërbejë për rezultate pozitive. Kur Kombëtarja shënon, është diçka e bukur për ne sulmuesit dhe diçka e mirë. Kombëtaren nuk e bën një repart, por ne jemi grup dhe forca më e madhe e skuadrës është grupi.
Seferi vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, duke thënë se Çekia është kundërshtari më i vështirë i grupit.
Më shumë se Çekia kemi shpirtin luftarak dhe zemrën, po ashtu edhe tifozët. Me ta jemi më të fortë, kjo edhe për faktin që luajmë në shtëpi dhe na jep një shtysë edhe më të fortë neve si lojtarë. Po shfrytëzoj edhe rastin për një thirrje kundrejt tifozëve: Mos hidhni flakadanë sepse do na dënoni. Ne kemi nevojë për ju. Na duhet përkrahja juaj edhe në ndeshjet e radhës. Kini kujdes me hedhjen në fushë të flakadanëve apo sendeve të tjera.
Çekia është kundërshtari më i fortë i këtij grupi. Ka pësuar vetëm dy gola dhe nuk ka asnjë humbje. Çekia nuk është vetëm Shik. Janë një Kombëtare fizikisht e fortë dhe duhet të kemi kujdes. Por siç e thashë edhe më herët, ne duhet të lëmë shpirtin e zemrën në fushë në këtë ndeshje dhe shpresoj që t’ia dalim.
Shqipëria futet në lojë për të marrë maksimumin. Besoj që ne kemi grupin e duhur, jemi të karikuar dhe të fortë.



