
Trajneri i Shqipërisë, Edoardo Reja, ka folur për televizionin italian “RAI”, ku ka komentuar eksperiencën e tij, në drejtimin e Kombëtares kuqezi.
Tekniku italian i pyetur për ndeshjen e tij të parë në stadiumin “Wembley”, tha se është një nga gjërat më të bukura që ka përjetuar në futboll.
“Derisa të kem këtë energji, entuziazëm dhe dëshirë për të punuar, do të bëj këtë punë. Të punoj me të rinjtë të përmirëson, jo thjesht në aspektin fizik, por mbi të gjitha në aspektin mendor.
Kombëtarja shqiptare po punon mirë, ka shumë entuziazëm përreth ekipit, i gjithë kombi shqiptar na mbështet dhe na qëndron pranë. Është e qartë që duhet ende të përmirësojmë strukturat e lojës, të përmirësohen mbi të gjitha në aspektin taktik.
Të bësh debutimin në ‘Wembley’, në një stadium me 80 mijë tifozë kundër Anglisë, me gjithë ata yje në fushë, në moshën time është një nga gjërat më të bukura që kam përjetuar në botën e futbollit në fakt.”



