
Ish-zëvendës Ministri i Sportit, Artan Shyti, i ftuar në emisionin “SportZone” në MCN TV, foli për rikthimin e mundshëm të basteve sportive, për të cilën të mërkurën, u mbajt edhe një dëgjesë nga vetë kryeministri Edi Rama.
Shyti deklaroi se ai që në fillim ishte kundër mbylljes së basteve, ndërsa shtoi se u mbyllën vetëm kompanitë e basteve, pasi ato ishin online në të zezë.
Më tej ai u shpreh se është e vështirë që ata të cilët deri tani kanë punuar në të zezë, të binden që tani të rikthehen me formalizim.
Bastet online nuk janë mbyllur, janë mbyllur vetëm kompanitë e basteve. Më vjen mirë që e dëgjoj diçka që e kemi thënë prej 3 vitesh. Tani për fat të keq, ata që bëjnë baste në të zezë, janë mësuar dhe është e vështirë për t’i bindur që të formalizohen. Ky diskutim ka kohë që ka filluar. Unë besoj se nuk mjafton dhe nuk është kjo dëgjesa, që do sjelli rikthimin e basteve. Do bëhen të tjera më vonë. Do ketë vendime dhe veprime të tjera konkrete. Mbyllja është më e thjeshtë, ndërsa hapja është më e vështirë. Duhen marrë vendime të pjekura. Mirë që u fillua një përpjekje, por duhet punë.
Le të themi që u bashkuan dy institucionet, KOKSH dhe FSHF, për të bindur qeverinë. Kam qenë një nga ata që para 3 vjetësh, kam dalë kundër mbylljes së basteve. Nëse do më ishin bashkuar që atëherë, qeveria mund të kishte menduar ndryshe. Përveç ndikimit të sportit, mendoj se ka edhe arsye tjetër që qeveria po mendon rihapjen.
Në atë kohë shteti merret 40 milionë euro në vit nga bastet. Nuk ishin vetëm paratë që merrnin nga bastet, ishin 15 mijë të punësuar, vendet të marra me qera për ato. Ishte edhe kënaqësia që merrnin disa njerëz, kur ndiqnin disa ndeshje. Unë nuk e di kush është projekti që po diskutohet. Unë e di që kompanitë shqiptare, ishin shumë serioze. Unë shpresoj që leku të shkojë te sporti, nuk më interesojnë kompanitë. Asnjë kompani nuk të vjen këtu, nëse nuk ka fitimin e vet.
Bastet nuk mund të mbulojnë problematikën financiare të sportit. Kemi nevojë që shteti të shikojë burimet dytësore për sportin. Futbolli duhet të kërkojë para nga buxheti i shtetit.



