
Si në çdo merkato , bosi i ‘’ Los Merengues ‘’ Florentino Perez ka premtuar investime të bujshme në funksion të trofeve për të cilët Real Madridi aspiron gjithmonë .
Një ndër objektivat e Carlo Ancelottit mbetet pa dyshim Aurelien Tchouameni i cili e ka treguar shumë shpejt se mund të lerë ‘’ Luigjin e Dytë ‘’ gjatë verës për arsye se edhe Paris St Germain po lufton fuqishëm për 21 vjeçarin .
Karriera e tij është zhvilluar në Francë dhe filloi të spikasë tek Bordeaux e më pas i fitoi zemrën ekipit nga ‘’ Principata ‘’ por e ardhmja nuk mendohet tek monegakët sepse ofertat në adresë të tij japin shpresë për të akumuluar edhe trofe në aspektin kolektiv , gjë që është e pa mundur sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit pasi Paris St Germain e ka dominuar Ligue 1 duke copëtuar çdo rival.
Edhe Chelsea gjatë një periudhe po e mendonte seriozisht transferimin e Aurelien Tchouamenit në ‘’ Stamford Bridge ‘’ por problematikat e ‘’ Bluve të Londrës ‘’ nuk i kanë dhënë shpresë për më tej dhe tashmë ‘’ Galaktikët ‘’ dhe ‘’ Les Pariziens ‘’ do të duelojnë për perlën franceze.
Para fillimit të sezonit spekullohej për një vlerë prej 80 milionë eurosh për kartonin e këtij lojtari por sipas gazetarit Ekrem Onur aktualisht vlerësohet në 65 milionë euro .
Me Modric dhe Toni Kross drejt fundit të karrierës , sigurisht mesfusha ka nevojë për një rifreskim për ti paraprirë çdo kundrakohe që është mëse e natyrshme në futboll dhe për Tchouamenin duket se ka ardhur koha për ta bërë këtë hap sepse e meriton me sakrificat e bëra dhe në një moshë të tillë duhet të përfitojë për ti shtuar kurrikulumit të tij arritje në një nivel ndryshe pasi me Monacon është gati-gati e pamundur për ti bërë realitet.
Pas ngecjeve me Zinedine Zidane , Real Madridi ka shpërthyer me Ancelottin , teknik që i ka dërguar të tijët deri në gjysëmfinalet e Champions Leagues dhe njëkohësisht lufton fort për kampionatin e Primera Division.
Me një mbështetje që nuk është kursyer asnjëherë nga Florentino Perez, spanjollët janë të bindur se do ti shkojnë rrugës deri në fund sepse përbëhen nga lojtarë shumë kompetitivë dhe të suksesshëm duke respektuar kështu Adn e Real Madridit , ekip që konsiderohet një ndër pretendentët për të dalë faqebardhë në çdo sezon.



