Të paktën 265 sportistë palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite që nga tetori i kaluar, tha Federata Palestineze e Futbollit.
“Në mesin e viktimave gjenden lojtarë, administratorë dhe staf teknik, përfshirë 11 në Bregun Perëndimor. Dhjetëra sportistë mbeten nën rrënoja dhe ne nuk jemi në gjendje të llogarisim numrin e tyre. Shumë sportistë mbahen gjithashtu në burgjet izraelite”, u tha gazetarëve Jibril Rajoub, kreu i shoqatës.
Ai tha se shoqata i ka paraqitur një projektrezolutë organit qeverisës të futbollit FIFA për ta sjellë Izraelin para përgjegjësisë.
“Shoqata e Futbollit e Izraelit ka shkelur rregulloret e FIFA-s për disa çështje”, tha ai, duke përmendur refuzimin e Izraelit për t’u zhvilluar ndeshje futbolli në territoret palestineze.
“Nuk jemi në gjendje të organizojmë një ligë apo edhe të presim kualifikueset e Kupës së Botës në tokën tonë. Izraeli shkatërroi të gjitha institucionet sportive në Gaza dhe i ktheu ato në burgje të ngjashme me burgjet e Guantanamos dhe Abu Ghraib”, shtoi Rajoub.
Sipas shifrave palestineze, më shumë se 55 objekte sportive janë shkatërruar në sulmet izraelite.
Izraeli ka vrarë të paktën 34.900 palestinezë dhe ka plagosur 78.500 të tjerë në ofensivën brutale në Rripin e Gazës pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023.



