
Lazio prej kohësh është në kërkim të një trajneri të ri pas largimit të Simone Inzaghi. Drejtuesit bardhekaltër kanë piketuar një njohës të mirë të kampionatit, siç është Maurizio Sarri. Sipas asaj që raporton “La Gazzetta dello Sport”, drejtori i Lazios, Igli Tare ka pasur së fundmi një takim me trajnerin italian, ku i ka propozuar atij stolin e skuadrës kryeqytetase.
Pas bisedimeve, trajneri i ka treguar edhe kërkesat që ka për merkaton, për të krijuar një skuadër kompetitive. Kërkesa e parë raportohet se ka qenë mbrojtësi i Shqipërisë, Elseid Hysaj. Ky i fundit pëlqehet shumë nga Sarri, i cili e ka pasur nën urdhrat e tij kur drejtonte Empolin, por edhe Napolit.
Tashmë 62-vjeçari dëshiron ta ketë përsëri me vete dhe e kërkon te Lazio. Gjithashtu Sarri ka kërkuar edhe disa lojtarë të tjerë dhe bëhet fjalë për Josip Ilicic të Atalantës, Charalampos Lykogiannis dhe Nahitan Nandez nga Cagliari dhe Rafae Borre nga River Plate.



