
Jorgo Pëllumbi, u bashkua me Kukësin në merkaton e janarit, në formën e huazimit për 6 muaj, nga kroatët e Varazdin, klub që zotëron edhe kartonin e lojtarit.
Pas paraqitjeve të shkëlqyera që tregoi, duke qenë një titullar i padiskutueshëm, interesimet për mbrojtësin kanë qenë të shumta.
MCN mëson se kampionët e Tiranës, kanë pasur kontakte për ta afruar lojtarin në skuadër. Ka qenë vetë drejtori i bardhebluve, Tefik Osmani, i cili ka kontaktuar Pëllumbin, për t’i shprehur interesimin. Gjithashtu mësohet se edhe drejtuesit e Kukësit, kanë kërkuar që të blejnë kartonin e lojtarit, i cili ka edhe një vit kontratë me Varzadin.
Megjithatë, vetë lojtari i ka refuzuar dy klubet, pasi dëshira e tij është të qëndrojë te Varazdin, në elitën e futbollit në Kroaci. 21-vjeçari dëshiron të tregojë vlerat e tij në Kroaci dhe më pas të tentojë kalimin në një skuadër më të madhe dhe në kampionat më elitar.
Vlen të përmendet se më herët, interesim për Pëllumbin, kanë shfaqur ekipe nga Austria apo edhe nga Maqedonia e Veriut.



