
Java e 12-të e La Ligas do të hapë siparin sot me ndeshjen e orës 21.00 ku do të përballen Mallorca - Espanyol.
Nxënësit e meksikanit Javier Aguirre vinë pas një fitore në ‘’ Mestalla ‘’ dhe do të shfrytëzojnë faktorin fushë për ti dhënë një leksion edhe katalanasve , të cilët janë shumë afër zonës së ftohtë në renditje.
Zotët e shtëpisë vinë pas dy humbjeve dhe një fitore, ndërsa ‘’ Blanquiazules ‘’ me një humbje , një fitore dhe një barazim në tre ndeshjet e fundit.
Diferenca ndermjet ekipeve është vetëm dy pikë , fakt që thekson se do të jetë një sfidë e luftuar deri në momentet e fundit.
Të shtunën janë parashikuar të luhen katër përballje. Në orën 14.00 Almeria pret Celta Vigon e Eduardo Coudet.
Nxënësit e Rubi janë në një pozicion jo favorizues dhe vinë pas një disfate në ‘’ La Ceramica ‘’ kundër suprizës së Conference League , Villarealit, ndërsa bardhekaltërit e trainerit argjentinas barazuan në ‘’ Balaidos ‘’ kundër Getafes dhe renditen një vend më lart në tabelë.
Në orën 16.15 është parashikuar të luhet Cadiz - Atletico Madrid.
‘’ Los Colchoneros ‘’ morën një leksion të rëndësishëm me eleminimin në Champions League dhe do të vijojnë rrugëtimin në Europa League .
Për të parën herë pas shumë vitesh kryeqytetasit ndodhen në një situatë të tillë dhe do të mundohen të ruajnë vendin e tretë në renditje kundër ekipit të parafundit në tabelë.
Cholo Simeone nuk mendon asgjë tjetër veçse fitores, për ta harruar sa më shpejtë eleminimin në këtë kompeticion.
Pas tyre do të zbresë në fushë Sevilla e cila pret në 18.30 Rayo Vallecanon .
Edhe andaluzët nuk paten fat në Champions League dhe do të masin forcat në kompeticionin e dytë për nga rëndësia .
Fakti i të luajturit përballë publikut të tyre i jep shpresë ekipit të Jorge Sampaolit për të dalë nga kjo sfidë me tre pikë dhe të vijojnë ngjitjen në tabelën e klasifikimit sepse si pak herë më përpara janë afër zonës së ftohtë , ndërsa madrilenët gëzojnë një pozicion me komod i cili momentalisht i afron me Europën .
Për sa i përket La Ligas , Sevilla vjen pas humbjes në ‘’ Santiago Bernabeu ‘’ me kryesuesit e këtij kampionati , ndërsa Rayo Vallecano shpartalloi 5-1 Cadizin e parafundit.
E shtuna do të mbyllet me sfidën Valencia - Barcelona.
Çuditërisht në sezonin aktual ekipet spanjolle nuk kanë patur shumë fat në Champions League , përveç Real Madridit dhe rivalët e përjetshëm fatkeqësisht do të luajnë në Europa League .
Kjo disfatë historike e ‘’ Los Cules ‘’ ka nxjerrë në pah shumë problematika,të cilat kanë vënë në dyshim qëndrimin e Xavi Hernandezit, të cilët në ‘’ Mestalla ‘’ do të kërkojnë të lënë pas episodin e hidhur.
Të besuarit e Gennaro Gatussos u mposhtën në javën e kaluar në shtëpi nga Mallorca , ndërsa për katalanasit situata është krejtësisht ndryshe në La Liga sepse vijojne ti bëjnë presion kryeqytetasve.
Nuk përjashtohet fakti se eleminimi nga Champions League mund të ndikojë në ndeshjet vijuese por disfata të kësaj natyre bëhen edhe më prezente me kalimin e kohës sepse rivaliteti në Primera Division dhe Europë sa vjen edhe ashpërsohet.
Edhe ditën e dielë do të zhvillohen katër sfida shumë emocionuese.
Në orën 14.00 në ‘’ El Sadar ‘’ Osasuna pret Real Valladolidin.
Ekipi nga Pamplona është shumë afër Europës dhe do të shfrytëzojë maksimalisht faktin e të luajturit në shtëpi për të mos u distancuar , ndërsa ‘’ Vjollcët ‘’ janë të 11-tët me 3 pikë larg.
Zotët e shtëpisë vinë pas barazimit ne Girona , ndërsa Real Valladolid mposhti në ‘’ Jose Zorrilla ‘’ surprizën e Europa Leagues , Real Sociedadin .
Në 16.15 do të zbresin në fushën e ‘’ Santiago Bernabeut ‘’ ‘’ Galaktikët ‘’ e Real Madridit të cilët presin modestët e Gironas .
Të besuarit e Carlo Ancelottit kryesojnë bindshëm La Ligan dhe u kualifikuan pa probleme edhe në fazën me eleminim direkt në Champions League.
Parashikohet një ndeshje e lehtë në letër kundër të tretës nga fundi , momentalisht e rënë në Segunda Division.
Kryeqytetasit s’pretendojnë gjë tjetër veçse tre pikët dhe shpresojnë në gabimin e rivalëve direktë, për të vijuar të qetë rrugëtimin drejt fitores së kampionatit , edhe pse është ende herët, pa harruar edhe Champions Leaguen .
Ora 18.30 do t’ia lërë vendin një supersfide ndërmjet Athletic Bilbaos dhe Villarealit.
Skuadra e Ernesto Valverdes mbetet një rival shumë i fortë në ‘’ San Mames ‘’ dhe deri në këtë stad të sezonit ka zhvilluar ndeshje bindëse , të cilat me meritë e klasifikojnë në Europë momentalisht , ndërsa ‘’ Nëndetësja e Verdhë ‘’ me Quique Setien në stol vijon të lërë gjurmë në Conference League , aty ku ka prerë biletën për në fazën tjetër .
Vaskët gjithmonë janë konsideruar një rival problematik , sidomos në shtëpi dhe natyrisht kanë në favor momentin në të cilin ndodhen , pavarësisht se Villareali mbetet një ekip tejet ambicioz në çdo kompeticion.
‘’ Los Rojiblancos ‘’ do të kërkojnë të harrojnë goleadën e pësuar në ‘’ Camp Nou ‘’ ndërsa ekipi nga Castellon vjen pas një fitore kundër Almerias në ‘’ La Ceramica ‘’.
Ndeshja mbyllëse e të dielës do të vërë përballë Real Sociedadin dhe Real Betis .
Ekipi nga San Sebastian do të zbresë në ‘’ Reale Arena ‘’ pas një performance të shkëlqyer në Europa League , me 5 fitore rradhazi dhe kryeson me meritë grupin E kur ka mbetur një ndeshje për përfundimin e fazës së grupeve, kundër Manchester United.
Imanol Alguacil ka bërë një punë për tu duartrokitur me bardheblutë por edhe Real Betis nuk mbetet pas sepse me Manuel Pellegrinin në pankinë , andaluzët kanë treguar se janë një rival i denjë për të ndryshuar historinë në këtë kompeticion.
Aktualisht ‘’ Los Txiuriurdines ‘’ me ‘’ Los Verdiblancos ‘’ i distancojnë vetëm 2 pikë por nëse i referohemi momentit në të cilin ndodhen , sigurisht dilet në konkluzionin se do të jetë një super ndeshje .
Java e 12-të finalizon të hënën mbrëma me Elche- Getafe .
‘’ Ilicitanët ‘’ e argjentinasit Jorge Almiron do të mundohen të shkëputen nga vendi i fundit në renditje , ndërsa madrilenët janë pak më lart por gjithsesi në një pozicion aspak komod.
Ky fakt na çon drejt një sfide shumë të ashpër .
Rivalët vinë pas barazimeve respektive kundër Espanyolit dhe Celta Vigos dhe situata jo e mirë në renditje detyron daljen nga ‘’ Martinez Valero ‘’ me një rezultat pozitiv për të ndryshuar paksa performancën në Primera Division .



