
Vllaznia e femrave ka shkruar historinë për klubet shqiptare, teksa ka rritur të kualifikohet në grupet e Champions League.
Shkodranet kanë mposhtur ukrainaset e Vorskla me rezultatin 2-1 në “play off”, pas ndeshjes së parë të mbyllur në barazim 1-1.
Pas kësaj arritje historike të shkodraneve, ka ardhur edhe një reagim nga presidenti i FSHF, Armand Duka. Ky i fundit nëpërmjet një postimi në profilin e tij, uron skuadrën për arritjen, ndërsa shton se treguan se për futbollin e femrave duhet të bëhet më shumë.
POSTIMI I DUKËS:
Futbolli është i bukur se na dhuron emocione të ndryshme ditë pas dite. Sot Vllaznia e vajzave ka shkruar historinë me fitoren kundër ekipit ukrainas të Vorskla Kharkiv dhe tashmë do të marrë pjesë në grupe të Champions League për herë të parë. Urimet e mia më të sinqerta për vajzat e Vllaznisë, stafin drejtues dhe Presidentin Lazër Matija. Urime për punën e përditshme me vullnet, pasion e përkushtim për të qenë krenaria e qytetit tuaj të mrekullueshëm Shkodrës, por edhe Shqipërisë. Në FSHF kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për mbështetjen e futbollit të vajzave, por ju, na treguat me punën tuaj, se duhet të bëjmë më shumë. E tani, të jemi gati të shohim vajzat tona të Vllaznisë të shkruajnë historinë e të na përfaqësojnë denjësisht në Europë. Urime Vllaznia. Urime vajza!



