
Diego Simeone bashkë me stafin drejtues vijojnë të kërkojnë alternativa për tu përforcuar gjatë merkatos së verës.
‘’ El Cholo ‘’ njihet si një trainer shumë kokëfortë, i cili pretendon përmirësimin e vazhdueshëm në çdo aspekt.
Jo më kot është një ndër më jetëgjatët në stolin e një ekipi, i cili e ka shëndërruar Atletico Madridin në një ndër më të sikletshmit për çdo rival.
Reparti i avancuar do të marrë shumë vëmëndje gjatë kësaj periudhe, e cila do ti shërbejë ‘’ Los Colchoneros ‘’ për të qenë në lartësinë e duhur sezonin vijues dhe objektivi i rradhës aktivizohet me Crystal Palacen.

Jean- Philippe Mateta po paraqitet denjësisht në Premier League, për të cilin drejtuesit e londinezëve kanë përcaktuar 50 milionë euro.
Edhe pse është një shifër paksa e ekzagjeruar, numri një i stolit të ‘’ Los Rojiblancos ‘’ e konsideron idealin për mënyrën se si luan kjo skuadër por gjithsesi në mendjen e tij po qarkullojnë edhe të tjerë lojtarë cilësorë.
Ishi i Le Havres është pa probleme tek Crystal Palace dhe po zhvillon sezonin e pestë, i shoqëruar deri më tani me 13 gola dhe 2 asiste në 29 sfida.



