
Pas dy sezoneve i huazuar nga Chelsea tek Interi dhe Roma, e ardhmja e Romelu Lukakut duket se do të jetë e lidhur ngusht me Italinë.
Ishi i West Bromwich ka shpërthyer me ‘’ Verdhekuqtë ‘’ në sezonin e shkuar, arsye e mjaftueshme për të synuar vijimin tek një ndër kampionatet më të rëndësishëm të Europës.
Tek ‘’ Blutë e Londrës ‘’ belgu nuk ka përjetuar momente të mira dhe kërkon ta hedhë pas krahëve këtë etapë të trishtë në karrierë, për të cilin Milani dhe Napoli janë interesuar.
Tek Napoli së fundmi ka mbërritur Antonio Conte, ish traineri i golashënuesit tek Interi. Asokohe 31 vjeçari shfaqi një rendiment për tu patur zili, i cili i ndihmoi zikaltërit për të fituar kampionatin.

Kohët kanë ndryshuar dhe ‘’ Il Partenopei ‘’ do të jenë nën drejtimin e trainerit nga Lecce i cili do të mbahet mend gjatë sepse uli nga froni i Scudettos Juventusin pas nëntë vitesh suksesi.
Ndërkohë, ‘’ Bualli ‘’ është shprehur se dëshiron të nisë një eksperiencë tek Napoli, edhe pse ka mbetur jashtë Europës.
Sigurisht, ndryshimi tek Napoli ka filluar dhe Aurelio Di Laurentis ka hedhur një hap të suksesshëm me rikthimin e trainerit 54 vjeçar në Itali, një ndër më cilësorët në këtë profesion.
Prezenca e Romelu Lukakut i jep natyrisht avantazhe ofensivës pasi konsiderohet shumë i aftë në gjetjen e hapësirave drejt golit dhe i vështirë për tu markuar në duelet një kundra një për arsye të aspektit fizik.
Në sezonin e shkuar me kryeqytetasit tregoi edhe njëherë cilësitë në një kampionat të cilin e ka shumë përzemër, me 21 gola dhe 4 asiste në 47 sfida, arritje që e ndihmuan Romën për tu kualifikuar për në Europa League.



