Newcastle United kalon në pronësinë e një prej familjeve më të pasura në botë. Klubi anglez është blerë zyrtarisht nga Fondi i Investimit Publik Saudit, i kontrolluar nga princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohamed Bin Salman.
Operacioni ka kushtuar 360 milionë euro dhe tashmë mbretërimi i pronarit të mëparshëm Mike Ashley, ka përfunduar. Shitja e klubit te konsorciumi nga Arabia Saudite është përfolur prej kohësh, por ëndrra e tifozëve u bë realitet vetëm javët e fundit.
Avokatët e Premier League punuan brenda natës për të miratuar marrëveshjen, e cila u nënshkrua të enjten në mëngjes, dhe më pas u depozituan paratë për të përfunduar blerjen.
Mohamed Bin Salman bëhet sheiku i dytë që merr një klub në Premier League në pronësi, pas Mansour të Manchester City. Newcastle kalon kështu në pronësinë e një prej familjeve më të pasura në botë, e cila ka një pasuri kolektive prej 320 miliardë paundësh, ndërsa mendohet se pasuria neto individuale e Bin Salman është rreth 13 miliardë paund.
Menjëherë pas lajmit të shitjes së klubit te sheikët, tifozët e Newcastle të entuziazmuar dhe të lumtur, mbushën rrugët për të festuar.



