
Krijimi i Super League hapi një luftë mes klubeve pjesëmarrëse në të dhe UEFA-s. Këta të fundit nuk e pranonin që të ekzistonte një kompeticion tjetër që nuk kishte lidhje me qeverinë e futbollit dhe për këtë arsye paralajmëroi klubet se në rast se nuk do hiqnin dorë, dënimet ndaj tyre do ishin të mëdha.
Nga kjo shumica vendosën të largohen me përjashtim të 3 klubeve, Barcelona, Real Madrid dhe Juventus. Prej kohësh, qarkullojnë zëra, mbi një dënim të mundshëm të UEFA-s në drejtim të 3 klubeve të pabindura, ku përmendej përjashtimi nga Champions League për sezonin tjetër.
Ka qenë vetë UEFA që nëpërmjet një komunikate të fundit, bën me dije se procedura për disiplinore ndaj 3 klubeve është pezulluar përkohësisht deri në një njoftim të dytë.
“Pas hapjes së procedurës disiplinore kundër Barcelonës, Juventusit dhe Realit të Madridit për një shkelje ligjore të kornizës ligjore të UEFA-s në lidhje me të ashtuquajturën projekti ‘Super League’, organi i Apelit të UEFA-s ka vendosur të pushojë procedurat deri në një njoftim tjetër”, shkruhet në komunikatën e publikuar nga UEFA.



