
Erhun Obanor nuk është më një lojtar i Laçit. Pas përfundimit të sezonit, mbrojtësi nigerian ka mbyllur edhe aventurën me skuadrën kurbinase.
25-vjeçari nuk ka humbur kohë për të gjetur skuadrën e re, teksa ditën e sotme është zyrtarizuar në Kroaci, te Istra. Ka qenë vetë klubi kroat, që ka konfirmuar afrimin e mbrojtësit, me Laçin që humb një nga shtyllat e sezonit të kaluar.
Istra gjithashtu përveç Obanorit, pak orë më parë zyrtarizoi edhe afrimin e ish-lojtarit të Partizanit, Theofilus Solomon. Sulmuesi u largua nga të kuqtë në merkaton e janarit, për të kaluar në Kuvajt, te skuadra e Qadsia, aty ku qëndroi vetëm 6 muaj.
Laçi tani duhet të gjejë një zëvendësues të nigerianit, për shkak se përpara janë ndeshjet e Europës, ku kurbinasit e Shpëtim Duros do të kërkojnë të ecin sa më shumë dhe pse jo të kualifikohen në grupet e Ligës së Konferencës.



