Liga Profesioniste i ka bërë katër kërkesa qeverisë, por kjo e fundit, plotësimin e tyre 100 për qind e ka konsideruar të pamundur.
Përmes një deklarate për mediat, ministrja e Ekonomisë, Anila Denaj dhe deputeti socialist, Fidel Ylli deklaruan se e vetmja mënyrë për plotësimin e tyre, aty ku është e mundur, është përmes diskutimit në tryezë dhe jo përmes shantazhit.
“Detyrimi prej 2 mln euro në kamatëvonesat nga Ligat nuk mund të fshihet në mënyrë të menjëhershme. Jemi të hapur që të bisedojmë në rrugën e formalizimit të sportit, por kjo nuk mund të ndodhë automatikisht. Debati nuk ndodh përmes TV, por duhet që përpara se të bëjmë shantazhe, duhet të diskutojmë”, u shpreh ministrja.
Ndërsa, deputeti socialist Fidel Ylli e konsideroi si të papranueshme sjelljen e Ligës, prapa kërkesave të të cilës, sipas tij, fshihet kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka.
“Mendoj që duhet të dali hapur presidenti i FSHF bashkë me grupin që kanë iniciuar kërkesa, por nuk është normale që t’i bësh presion qeverisë. I bëj thirrje Koço Kokëdhimës, që ka bërë një klub model si Apollonia. Por sporti tek në 30 vjet është informal. Të gjithë e dinë dhe nuk është normalë që të marrësh paratë e një qyteti dhe t’ia japësh një ekipi të kategorisë së dytë, dhe këtë e kanë bërë bashki të majta e të dyta”, tha Ylli.
Ai theksoi se qeveria socialiste ka marrë përsipër të bëjë një reformë të thellë në sport, ndërsa kujtoi investimet nga të majtët në pushtet duke nisur nga stadiumi i Elbasanit deri tek ai i Kukësit, që sipas tij janë investime sa për 100 vjet.
Liga Profesioniste kërkon nga qeveria përmbushjen e katër pikave, duke nisur nga ulja e TVSH-së në masën 6%, falja e gjobave dhe kamatëvonesave të detyrimeve tatimore, fiskale dhe të sigurimeve të prapambetura.
Gjithashtu, kërkohet shtrirja e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat e lojtarëve nga 2 në 10 vite, si dhe miratimin e ligjit të sponsorizimeve ndërtuar në bashkëpunim me aktorët e sportit.
Mbledhja e radhës e Ligës Profesioniste është programuar në datën 21 shtator, ku dhe do të shqyrtohet se cila do të jetë lëvizja e radhës, në rast se qeveria nuk përmbush kërkesat e klubeve.



