Kampionati rinis nesër me fazën e katërt, të fundit të sezonit të rregullt, me ekipet që hyjnë në këtë etapë shumë të uritura për pikë.
Trajneri i futbollit Elvis Plori, në një analizë për “MCN Informacion”, veçon përballjen Egnatia-Vllaznia si një ndeshje shumë të rëndësishme, që sipas tij mund të konsiderohet si një “finale e parakohshme”.
Sipas Plorit, kjo sfidë do të shërbejë si një test i rëndësishëm për të dy skuadrat përpara fazës së play-off-it.
Është një test për të dyja skuadrat, një provë para finaleve, po ta quajmë kështu, pasi bëhet fjalë për fazën e katërt dhe të fundit.
Nuk mund të them se kampionati përcaktohet që tani, por mendoj se është një test i mirë që secila skuadër të tregojë dhëmbët, në mënyrë që kur të vijë faza e play-off-it të ketë një farë autoriteti në fushën e lojës.
Është gjithashtu një mundësi për të parë nivelin e përqendrimit dhe mënyrën se si luajnë këto dy skuadra kundër njëra-tjetrës.
Plori shton se kjo përballje pritet të jetë një ndeshje e bukur edhe për shkak të formës që skuadrat kanë treguar gjatë sezonit.
Vllaznia ka kaluar një fazë shumë të mirë, pavarësisht humbjes ndaj Flamurtarit.
Nga ana tjetër, edhe Egnatia ka pasur luhatje, por mbetet një skuadër shumë e fortë.
Ajo të frikëson për momentet shumë të mira që krijon në lojë dhe, duke qenë edhe kampionia në fuqi, është një ekip që di të menaxhojë mirë ndeshje të tilla.



