
Prej kohësh tek Real Madridi po mendohet për merkaton e verës, ekip i cili natyrisht kërkon të jetë protagonist në çdo sezon, kryesisht në Champions League.
Nëse i referohemi këtij kompeticioni, ‘’ Galaktikët ‘’ morën një shuplakë të fortë nga Manchester City, skuadër e cila me shumë meritë ka prerë biletën për në finale , aty ku do të përballet me Interin.
Gjithsesi madrilenët s’kanë dalë me duar bosh pasi kanë mundur të fitojnë Kupën e Mbretit dhe tanimë drejtuesit janë fokusuar totalisht tek kjo periudhë.
Ferland Mendy do të jetë një ndër lojtarët që me shumë gjasa do të lërë ‘’ Santiago Bernabeun ‘’ dhe për ta zëvëndësuar është menduar për Alphonso Davies.
Kanadezi konsiderohet një ndër anësorët më të mirë të botës dhe siç dihet karakterizohet për shpejtësinë, e cila në të shumtën e rasteve e avantazhon gjatë aksioneve .
Kontrata me Bayern Munchen skadon në 2025-sën dhe ky fakt i krijon një lloj qetësie bavarezëve por gjithsesi nëse në një të ardhme të afërt nuk do të arrihet akordi për rinovimin e saj , mund ti hapet dera për të provuar një tjetër eksperiencë në karrierë.
Megjithatë, në sezonin vijues mund të provohet edhe me pozicionimin e David Alabas si mbrojtës i majtë pa mënjanuar gatishmërinë e Fran Garcias në çdo moment, por paraqitjet e mrekullueshme të ishi-t të Vancouver Whitecaps e kanë lënë të mahnitur italianin Carlo Ancelotti.



