
Gjithmonë duket i qetë në pankinë, por trajneri i Tiranës, Orges Shehi, zbuloi se në dhomat e zhveshjes, ka raste kur shpërthen keq.
Duke folur në lidhje me këtë, në emisionin “SportZone” në MCN TV, Shehi deklaroi se në rast se shpërthen ndaj një lojtari në fushë, do e dëmtonte atë.
Ka momente që edhe unë shpërthej dhe jashtë mase shumë. Kjo do të ndodhë gjithmonë në dhomat e zhveshjes dhe jo në pankinë. Nëse shpërthej në pankinë për një lojtar, i bën dëm atij. Në dhomat e zhveshjes çdo trajner shpërthen, unë shpërthej më shumë sesa mendoni.
Presidenti vjen dhe ikën kur do ai, siç ka bërë te Tirana. Mendoj se ka funksionuar mirë. Çdo njeri e ndërton punën, sipas psikologjisë së tij. Katër pikë janë shumë pak, për një kampionat të gjatë. Nuk është mbyllur ende gjysma. Çdo skuadër do ketë momente të mira dhe të këqija. Shpresojmë që momentet e këqija për ne të kenë kaluar. Shpresojmë që në merkato të jemi komodë, dhe të mos prishim ekuilibrat. Nuk mendoj se diferencën e bëjnë përballjet direkte. Diferencat e bëjnë ndeshjet me skuadrat e tjera.
Unë mendoj se kam lojtarë me personalitet. Duke pasur lojtarë kampionë, shumë situata ata i kuptojnë vetë dhe i japin zgjidhje shumë lehtë dhe shumë vështirë.



