Shqipëria U-16, ka fituar 1-0, në miqësoren ndaj moshatarëve të Malit të Zi.
Ndeshja e luajtur në kompleksin e Federatës Malazeze të Futbollit ka qenë e balancuar dhe me raste për shënim nga të dyja skuadrat. Ndonëse grupi kuqezi përbëhej nga lojtarë të ftuar rishtazi në këtë ekip, paraqitja ka qenë mjaft pozitive, duke treguar kompaktësi gjatë gjithë takimit.
Pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 0-0, ndërsa në pjesën e dytë tekniku Kërçova bën menjëherë tre zëvendësime duke nxjerrë nga loja Murselo Dervishin, Rinaldo Nelan dhe Alex Bezatin e në vend të tyre futen në fushë Filipo Qendro, Ibrahim Rata, Tedi Malaj. Në minutën e 64-t vjen edhe momenti vendimtar i miqësores me Xheto Joi Nuredinin që merr një top në mesin e fushës dhe pas një galopim në të majtë, duke dribluar edhe një mbrojtës malazez, hynë në zonë dhe godet saktë me të majtën, duke e dërguar topin në rrjetë.
Pavarësisht përpjekjeve të malazezëve për të ndryshuar rezultatin, kuqezinjtë arrijnë të menaxhojnë siç duhet ndeshjen deri në fund duke fituar e rezultatin 1-0. Një provë mjaft e mirë për ekipin shqiptar me disa elementë vërtetë të talentuar në përbërje.
Pas ndeshjes Kombëtarja U-16 do të kthehet në Shkodër për të vijuar përgatitjet për ndeshjen e dytë miqësore me Malin e Zi U-16 që do të luhet më datë 9 dhjetor në stadiumin “Reshit Rusi” në ora 12:00.



