
Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti ka folur para mediave, në prag të sfidës së nesërme, kur skuadra e tij do të përballet me Skënderbeun. Tekniku i të kuqve ka vlerësuar kundërshtarin, por shtoi se ekipi i tij duhet të jetë shumë cinik në rastet që do i jepen.
“Fitorja me Teutën dhe Dinamon janë të ndryshme, pasi kishin specifika të ndryshme ndeshjet. Normalisht do na pëlqente vazhdimësia. E kam thënë shpesh se kthesa vjen gradualisht. Vazhdimësia është e rëndësishme. Fitorja me Skënderbeun do ishte një bonus i madh. Ne do shkojmë për të fituar dhe për të bërë maksimumin.
Stenio Junior është profesionist, një natyrë pozitive. Të gjithë duhet të pranojnë vendimet e trajnerit. Ai ka qenë pozitiv me vendimin e marrë për ta nisur nga stoli. U fut dhe u paraqit mirë. Kjo tregon se fryma e Partizanit është pozitive.
Sa i takon Kallakut, e kam sqaruar pas ndeshjes. Ai ka karakter të fortë dhe djalë i mirë, si dhe duke pasur edhe cilësitë e tij, duhet ta kuptojmë edhe atë sepse nuk është e lehtë të ndryshosh skuadër dhe të përshtatesh. Kallaku pret shumë nga cilësitë e tij, ndaj unë e kuptoj që nuk u pëlqen të zëvendësohen. Ai ka ardhur dhe ka bërë autokritikë para skuadrës dhe kjo ia rrit vlerën.
Skuadra si Skënderbeu ta vështirësojnë shumë manovrën sulmuese, duke u mbrojtur me shumë forca në gjysmëfushën e tyre. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm edhe në mbrojtje, pasi kundërsulmojnë dhe kërkojnë thellësi. Duhet të jemi shumë cinikë. Jo të shkojmë shumë para porte, por të jemi rezultativë. Mund të na jepen një ose dy raste dhe duam ta zgjidhim. Skënderbeu është një ekip që i jep të gjithëve vështirësi. Mbrojnë shumë dhe nuk të japin shumë mundësi që të dalësh para porte", u shpreh Mehmeti.



