
I distancuar paksa nga titulli i Serisë A ,i cili prej dy sezonesh rradhazi i ka shpëtuar Juventusit , në ‘’ Allianz Stadium ‘’ po mendohet për shëndërrimin në atë kundërshtarin e dikurshëm të cilin nuk mundi ta mposhtë asnjë rival në Scudetto.
Njëkohësisht bardhezinjtë luftuan deri në fund për fitimin e Champions Leagues së tretë por fatkeqësisht dolën të humbur në dy finale, respektivisht kundër Real Madridit dhe Barcelonës .
Massimiliano Allegri ka nxjerrë leksione nga ky sezon i cili për fatin e torinezëve i garantoi pjesëmarrjen edhe një herë në këtë turne por rënia e rendimentit s’ka nevojë për koment dhe merkatoja shikohet si shpresa e vetme për tu ringritur.
Në mendjen e italianit po qarkullojnë katër emra shumë interesantë të cilët mund të adaptohen lehtësisht në skemat e ishi-t të Milanit dhe ta rifusin ‘’ Zonjën e Vjetër ‘’ në shinat e suksesit i cili domosdoshmërisht duhet të shoqërohet me tituj ashtu siç është bërë edhe në të kaluarën .
Ndër emrat që po analizojnë rekordmenët e Serisë A është Paul Pogba. Francezi e përfundon kontratën me Manchester United në fundin e këtij sezoni dhe ndoshta mund ti rrahë përsëri zemra për të veshur bluzën bardh e zi me të cilën u shëndërrua protagonist në të kaluarën .
Edhe emri i argjentinasit Angel Di Maria ka marrë një rëndësi të veçantë në javët e fundit .
Kontrata e ‘’ El Fideos ‘’ me Paris St Germain përfundon me të mbaruar sezoni dhe rrjedha e ngjarjeve e afron me transferimin në ‘’ Allianz Stadium ‘’.
As Ivan Perisic nuk i ka shpëtuar syve të mprehtë të teknikut 54 vjeçar. Kroati , nënkampion në fuqi i botës me ‘’ Trikolorët ‘’ ka fituar një vend titullari prej kohësh tek zikaltërit dhe falë Antonio Contes i shtoi një titull kurrikulumit por duke qenë se është drejt fundit të kontratës , Juventusi nuk do ta shpërdorojë këtë shans sepse cilësitë e tij janë me të vërtetë për tu duartrokitur.
Juventusi nuk do ta ketë aspak të lehtë sepse edhe Chelsea beson në aftësitë e Ivan Perisic dhe tashmë ia ka hapur dyert e ‘’ Stamford Bridges ‘’ në pritje të gabimeve të rivalëve për ta vënë në dispozicion të gjermanit Thomas Tuchel .
I fundit është Jorginho. Braziliani me pashaportë italiane ka shprehur dëshirën e largimit nga ‘’ Blutë e Londrës ‘’ sepse vijon të ketë ndjesi të veçanta për Serinë A, kampionat që e afroi në një moshë fare të re dhe tashmë është një ndër protagonistët e mesfushës së kombëtares ‘’ Trikolor ‘’.
Kreativiteti dhe profesionalizmi i treguar ndër vite në një pozicion tejet të vështirë i cili kërkon një përqëndrim konstant e ka bërë një lojtar shumë të preferuar në elitën europiane.
Massimiliano Allegri kërkon të shtojë eksperiencën dhe ta ndërthurë atë me talentin për të formuar ekipin që do të mund të ulë nga froni i Serisë A rivalët dhe të vijojnë me përpjekjet për fitimin e Champions League .
Gjithçka është e mundur për juventinët sepse e kaluara i jep të drejtë por pavarësisht eksperiencës duhet domosdoshmërisht një merkato cilësore për arritjen e objektivave .



