
Me qindra motoristë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës kanë çelur siparin e Moto Fest Pogradec, një prej eventeve më të mëdha të verës në qytetin liqenor.
Për dy net me radhë, festivali synon jo vetëm promovimin e turizmit dhe bukurive natyrore të Pogradecit, por edhe përcjelljen e një mesazhi të fortë solidariteti.
Mes pjesëmarrësve ishte edhe Artur Berberi, motorist nga Pogradeci që prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai u shpreh se motoçikleta përfaqëson ndjenjën më të madhe të lirisë dhe se kushdo që dëshiron ta përjetojë atë, mjafton të hipë në një motor.
Nga Durrësi dhe Tirana kishin udhëtuar edhe Eno dhe Elona, dy miq të bashkuar nga pasioni për motoçikletat.
Ata vlerësuan organizimin e Moto Fest Pogradec, duke e cilësuar atë një nga aktivitetet më të bukura të këtij lloji në vend.
Festivali do të kulmojë mbrëmjen e 18 korrikut me paradën e madhe të motorëve në rrugët e qytetit, si edhe me mbërritjen e tre kamionëve me pajisje ndihmëse, të cilat do t'u dhurohen personave me aftësi të kufizuara, duke i dhënë aktivitetit një dimension të veçantë humanitar.



